Merkato e varfër, “Francë 2016” nuk ndikoi në lëvizjet e lojtarëve

16/07/2016 00:00

Mbyllja e Europianit me nota pozitive për kuqezinjtë nuk pati efektin e shumëpritur në merkaton e verës, të paktën deri tani. Arlind Ajeti, qendërmbrojtësi kuqezi, është i vetmi ndër lojtarët e shfaqur në Europian që bëri një lëvizje të suksesshme duke kaluar tek Torino, ndërkohë që të tjerët mbeten në pritje.

Për menaxherin e kombëtares, Alban Bushi, ka disa arsye përse nuk patëm një bum merkatoje deri në këto momente.

“Klubet ku janë aktualisht lojtarët i kanë ngritur vlerat e tyre në shifra shumë të mëdha, i kanë dyfishuar. Si në shembullin e Sadikut, për të cilin Zyrihu kërkon 4-5 milionë euro. Pastaj duhet marrë parasysh fakti se ne jemi një ekip modest dhe në këtë kampionat nuk shkëlqyem si individë, por si grup”, deklaron Bushi.

Një vitrinë e rëndësishme ka qenë Francë 2016-a edhe për trajnerin De Biasi, i cili e ka dhe si arritjen më të madhe në karrierë. 60-vjeçari në këtë periudhë pushimesh është në qendër të disa ofertave që i kanë ardhur nga klube të ndryshme, kryesisht nga Azia, por objektivi i tij mbetet drejtimi i një tjetër përfaqësueseje, e një niveli më të lartë se Shqipëria. Por ndoshta ai do të zbatojë kontratën që ka me kuqezinjtë deri në 2017-n.

“Çdo njeri ka ambicjet e veta për të arritur më lartë. Mbase ai ka objektiva të tjera, por është trajner i Shqipërisë, ka kontratën me ne, pavarësisht se ka klauzolën. Ne jemi të hapur, por unë nuk besoj se ai do të lëvizë sepse jemi gjithë kohën në kontakt me të, po përgatitemi për ndeshjet e Botërorit”, thotë Bushi.

Shumë shpejt përfaqësuesja jonë do të fillojë aventurën eliminatore të Botërorit Rusi 2018. Më 5 shtator kombëtarja shqiptare do të përballet në “Loro Borici” me Maqedoninë. Përveç tyre ne do të jemi në grup në këto eliminatore me Italinë, Spanjën, Izraelin dhe Lihtenshtejnin.

“Gjithmonë ndeshjet e para janë të vështira. Tani pretendimet janë rritur për kombëtaren shqiptare, kërkohet vetëm fitore. Lojtarët që kanë qenë do të jenë sërish pjesë e grupit, por besoj se do ketë sjellje të reja të trajnerit”, shton Bushi.

Top Channel