Tirana zyrtare dhe politika dënon sulmet në Nice

15/07/2016 00:00

Tirana zyrtare dhe klasa politike në vend, njëzëri kanë dënuar sulmin e ndodhur në Nice. Presidenti Nishani, me anë të një mesazhi drejtuar Presidentit Francez, i ka shprehur ngushëllimet në emër të popullit shqiptarë.

“Akti i mbrëmshëm terrorist në Nisë, që përgjaku Ditën Kombëtare të Francës dhe gëzimin e francezëve, më tronditi dhe më revoltoi pa masë E dënoj me forcën më të madhe këtë akt çnjerëzor dhe në këto momente dhimbje dhe zemërimi, unë dhe populli shqiptar jemi me ju dhe popullin francez”, theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.

Kryetari Kuvendit Ilir Meta i ka shprehur ngushëllimet dy Presidentëve të Parlamentit dhe Senatit të Francës. Duke dënuar ngjarjen e rëndë, Meta shkruan se sot “Shqipëria është një me Francën dhe populli shqiptar është një me popullin francez”.

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale u shpreh se “strategjia e tmerrit nuk do ta gjunjëzojë kurrë botën e lirë!”

“Nazizmi i ri do të mundet njësoj si i vjetri! Franca dhe liria do triumfojnë”, shkruan Rama.

Edhe kreu opozitës, Lulzim Basha nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e ka cilësuar një “sulm shtazarak atë të ndodhur në Nisë”.

“Akti i pabesë terrorist, në orën që të rinj, fëmijë, burra e gra po festonin Ditën Kombëtare, ka lënduar gjithkend, por jam i bindur se Franca do të ringrihet më e fortë”, thotë Basha.

Ndërkaq, “Konferenca e Ambasadoreve”, e cila zhvillohet në Tiranë, e ka nisur ditën e fundit të punimeve me një minutë heshtje në nderim të viktimave të pafajshme duke shprehur dhe solidaritetin me Francën në këto momente të vështira.

Top Channel