Ronaldo, kampion Europe. E feston me një “lodër” miliona euroshe

15/07/2016 00:00

Cristiano Ronaldo vazhdon festën për fitimin e titullit kampion i Europës, të fituar me Portugalinë e tij në Francë kundër “gjelave” të Deschamps në finale.

Ylli i Realit të Madridit vendosi t’i bëjë dhuratë vetes një makinë super të shtrenjtë dhe bëhet fjalë për një Bugatti Veyron, vlera e të cilit në treg arrin deri në 2.5 milionë euro, ndërkohë që numri i njësive të prodhuara është shumë i kufizuar.

Sulmuesi 31-vjeçar, që ndodhet në Ibiza për pushime së bashku me familjen e tij, nuk ngurroi ta tregojë këtë dhuratë tej mase luksoze nëpërmjet profilit të tij në “Instagram”, duke publikuar një foto të makinës të shoqëruar me mesazhin “Bisha erdhi!”.

Por jo vetëm kaq. Kostoja e kësaj makine shkon përtej vlerës së paguar për blerjen e saj. Disa portale të specializuara kanë bërë një përllogaritje për koston totale të kapriços së re të Ronaldos dhe, sipas tyre, vlera e makinës pa llogaritur taksat është 1.6 milionë euro, ndërsa TVSH-ja, së cilës i shtohen edhe taksat mbi makinat luksoze, kap shifrën e 700 mijë eurove.

Seti i gomave kushton 27 mijë euro, ndërsa ndërrimi i tyre kushton nga 60 deri në 108 mijë euro. Në momentin që makina do të kërkojë ndërrim vaji, atëherë Ronaldos do t’i duhet të shpenzojë 18 mijë euro.

Top Channel