Ulrich “Uli” Höness do të kthehet shumë shpejt në postin e presidentit të Bayern Munchen. Lajmi publikohet nga revista gjermane “Kicker”, sipas së cilës, zyrtarizimi i ardhjes së Höness në krye të klubit bavarez do të bëhet në ditët në vazhdim.
Uli Höness e la këtë detyrë pas hetimeve të kryera ndaj tij për evazion fiskal, vepër për të cilën ai u dënua me 3 vite e gjysmë burgim, dënim që prej muajit shkurt u konvertua në liri me kusht. Presidenti aktual i Bayernti, Karl Hopfner deklaroi se do të jetë gati që t’ia lejë vendin Hönessit, nëse ky i fundit dhe bordi drejtues i “bavarezëve” do të vendosin për një lëvizje të tillë.
Gjithnjë sipas “Kicker”, kjo çështje do të diskutohet ditën e premte dhe zyrtarizimi do të bëhet përpara datës 31 korrik. Höness hyri në burgun e Landsbergut në Bavari në qershor të vitit 2014, për të shlyer dënimin për evazionin fiskal prej 28.5 milionë eurosh.
Në fillim të vitit 2016, pasi kreu gjysmën e dënimit, ai u lirua me kusht. Që nga ai moment, Höness u pa shpesh në “Allianz Arena”, ku është pritur mirë si nga tifozeria, ashtu dhe nga drejtuesit e Bayernit.
Top Channel