Tour De France, kontroll të imtësishëm për “motorët”

13/07/2016 00:00

Shqetësimi kryesor i Turit të Francës këtë vit është dopingu dhe fshehja potenciale e substancave të ndaluara në çiklizëm, por një vëmendje të madhe po marrin edhe kontrollet për biçikletat e manipuluara.

Teknologjia e rafinuar e ditëve të sotme ka hyrë kudo në fanella, në dieta ushqimore dhe në mjetet dyrrotake të cilët përdorin sportistët për aktivitete sfilitëse.

Turi i Francës, një sinonim i talentit, forcës fizike dhe taktikës së skuadrës është njollosur kohët e fundit nga dopingu, por po bëhen kontrolle të vazhdueshme edhe për biçikletat me motor të fshehur.

Këtë vit, autoritete janë më vigjilente se kurrë për të zbuluar mashtruesit që kanë të fshehur pajisje të pa lejuara në biçikleta, e që mund t’i ndihmojnë artificialisht për të ulur ngarkesën fizike.

Kamerat termale do të zbulojnë të ashtuquajturin dopingu mekanik, madje sipas autoriteteve kanë nisur të përdoren edhe valët e rezonancës mangetike për të kontrolluar nëse ka motorë brenda biçikletave.

Tifozët e çiklizmit në aktivitetin më të vlerësuar të kësaj disipline në botë, do duhet të shpresojnë se idhujt e tyre nuk do të kapen me substanca të ndaluara, ose me dopingun mekanik të kohëve moderne që përdorin mashtruesit në këtë sport.

Top Channel