Rikthimi i Partizanit në Champions, Sormani: Dua të jemi krenarë pas ndeshjes

13/07/2016 00:00

Mbrëmjen e sotme, Partizani do të debutojë në raundin e dytë të Champions League, ku do të përballet me hungarezët e Ferencvaros. Kjo ndeshje vjen pasi “të kuqtë” kanë debutuar më parë në Europa League, po këtë sezon, por penalizimi i Skënderbeut nga UEFA solli këtë rast të paprecedentë.

Megjithatë, “të kuqtë” kryeqytetas duket të jenë të gatshëm të përballen edhe me këtë kundërshtar, që nisur nga emri ka një avantazh në letër. Italiani Adolfo Sormani do të debutojë në një ndeshje të një shkalle vështirësie të lartë, si trajneri i “të kuqve” për sezonin e ri.

“Këto ditë kanë qenë të mjaftueshme për të parë dëshirën e lojtarëve. Jemi realitet në Ligën e Kampioneve pas 23 vitesh. Sigurisht që për nga statistikat, Ferencvarosi është më mirë se. Edhe në investime diferencat janë të mëdha. Është një përballje e vështirë, por futbolli luhet nga burrat. Dua që skuadra të ndihet krenare në fund të 90 minutave, sikurse edhe tifozët tanë duhet të jenë krenarë për atë që do të bëjnë futbollistët”, tha Adolfo Sormani, trajner i Partizanit.

Sa i përket lojtarëve që do të aktivizojë, gjithçka mbetet në fshetësi dhe trajneri italian nuk ka zbuluar asgjë. Për të gjithë mbetet një kuriozitet, se cilët do të jenë 11 lojtarët që do të zbresin në fushën e “Elbasan Arena”-s mbrëmjen e sotme, në orën 20:00, kur edhe do të luhet ky takim.

Top Channel