Grafistët dhe artistët e rrugës po përpiqen të kultivojnë një kulturë të re urbane në qytet. Shumë hapësira janë transformuar nga ngjyrat, ndër to fasada, ura apo kabina elektrike në trotuare.

Mesazht janë të thjeshta. Më tepër estetike dhe me pak elementë abstraktë. Funksioni i tyre është për t’i dhënë një pamje “trendy” këtyre hapësirave, për të ngjallur kuriozitetin, por edhe për t’i shndërruar në hapësira sociale.

“Mendova që, kur njerëzit t’i shikonin ato si vepra, të hynin menjëherë në marrëdhënie me atë fasadë ku është ndërhyrë. Është figura njerëzore në qendër të saj, e cila është në marrëdhënie të ngushtë me elementët e natyrës, si lulet, pemët, degët… Figura njerëzore është në lëvizje dhe transformim të vazhdueshëm, që të shprehë një gjendje të vazhdueshme për ndryshim”, tha Mark Vata, artist rruge.

Një grup artistësh rruge morën mbështetje materiale nga Bashkia e Tiranës dhe vunë në jetë idetë e tyre për të ndryshuar hapësirat publike. Ky është një projekt që pritet të ketë shtrirje më të gjerë në të ardhmen, me synim shndërrimin në një kulturë urbane si në metropole të tjera.

“Ky fëmijë që është tërësisht në mendimet e tij, duke shijuar fort lepurushin, e duke krijuar kështu një zhbalancim mes realitetit të bllokut dhe fëmijës që qëndron i mbyllur në vetvete, i fshehur. Kjo është një zonë e vendosur mes pemëve”, tha Franko Dine, artist rruge.

Reagimi i publikut ka qenë i ndryshëm. Ka pasur nga ata që i kanë mirëpritur, por edhe shumë të tjerë që i konsiderojnë si ndotje vizuale të fasadave publike.

Top Channel