Mbrojtja karshi diellit merr një rëndësi të lartë në muajt e verës për shkak të intesitetit të lartë të rrezeve. Përgjatë gjithë vitit, por sidomos në këtë kohë kremi i diellit konsiderohet tashmë një artikull i përdorimit të përditshëm.
Pasojat nga rrezet ultraviolet shkaktojnë plakjen e parakohshme, dëmtime e deri në tumore të lëkurës.
“Kremi i diellit duhet të merret gjithmonë në farmaci.Faktori mbrojtës karshi diellit vendoset sipas fototipit të lëkurës”, shprehet dermatologia Entela Shkodrani.
Faktori mbrojtës i një kremi tregon kohën që ju mund të qëndroni në diell dhe sa mirë formula filtron rrezet e diellit.
“Nëse ke marrë një krem dielli me faktor mbrojtës 20, tregon se ti 20 minuta je i mbrojtur nga dielli dhe se pas 20 minutave duhet riaplikaur. Dhe nëse ti vendos një krem me faktor 50, tregon se për një minutazh prej 50 minutash je i mbrojtur e më tutje jo. Kur djersitemi dhe kur futemi në ujë kremi duhet riaplikuar nga fillimi”, shpjegon dermatologia Entela Shkodrani.
Kjo është periudha që trajtimet estetike duhen mbajtur larg. Shumë rëndësi merr hidratimi i mirë i lëkurës i cili duhet aplikuar në varësi të llojit të saj.
Gjithashtu gjatë ekspozimit në plazh aksesorë si kapelja apo syzet e diellit janë një domosdoshmëri.
“Një rekomandim do të kisha për njerëzit që veçanërisht kanë probleme të lëkurës, të ruajnë çdo element të ri që kanë në lëkurën e tyre dhe të kontaktojnë menjëherë mjekun e tyre dermatolog”, këshillon Entela Shkodrani.
Top Channel