“Turi i Francës”, Froome vendos diktatin pas etapës së 8

10/07/2016 00:00

Christopher Froome vendos firmën e tij në etapën e 8 të Turit të Francës. Çiklisti kenian që përfaqëson Britaninë e Madhe me skuadrën “Team Sky” tregoi edhe njëherë se do të jetë gati një mision i pamundur për ta zbritur nga froni i kampionit të këtij evenimenti.

Në etapën e 8 që kaloi nëpër Pirenej, Froome e bëri diferencën në ngjitjen e fundit të saj, teksa krijoi një shkëputje nga çiklistët e tjerë.

Pas këtij momenti, keniani nuk pa më prapa dhe arriti të kalojë i pari vijën e “finish”-it, duke e ndalur kronometrin në kohën 4 orë, 57 minuta e 33 sekonda, duke lënë në vendin e dytë Daniel Martin me 13 sekonda më shumë, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua Joaquin Rodriguez. Alberto Contador zhgënjeu sërish dhe e mbylli etapën në vendin e 17, me 1 minutë e 41 sekonda më shumë se Froome.

Fitorja e etapës i dha të drejtën kenianit Froome të marrë edhe kreun e renditjes së përgjithshme të Turit të Francës, me kohën 39 orë, 13 minuta e 4 sekonda, i ndjekur në vendin e dytë nga britaniku Yates me 16 sekonda më shumë, ndërsa i treti pozicionohet Joaquin Rodriguez. Më pas Daniel Martin, Alejandro Valverde e Nairo Quintana.

Top Channel