Finalja e Europianit, Ronaldo kundër Griezmann dhe fatit të keq

10/07/2016 00:00

Sot në mbrëmje, “Euro 2016” ul siparin e tij me ndeshjen finale mes Portugalisë dhe Francës. Do të luhet në “Saint Denis” të Parisit, ku të zotët e shtëpisë do të kërkojnë të shfryëtzojnë faktorin fushë në të gjitha mënyrat e mundshme për të triumfuar, pasi janë disa sinjale që e trembin trajnerin Deschamps.

Kur shpëton në fund në fazën e grupeve, kur luan keq e përmirësohesh gjatë turneut, kur thyen disa tabu sportive, në fund rezulton fitues. Dhe është pikërisht kjo, rruga që përshkoi Portugalia në këtë Europian. Por jo vetëm kaq.

Është edhe Cristiano Ronaldo, të cilit gjërat këtë vit po i shkojnë mjaft mirë. Në fillim Champions League dhe tashmë finalja e “Euro 2016”. Për herë të parë nuk do të jetë Messi, ai që do të rivalizojë fort me të për “Topin e Artë”, por Antoine Griezmann. Ronaldo dhe ylli i Francës u përballën edhe në finalen e Championsit, me sulmuesin 25-vjeçar që humbi një 11-metërsh gjatë kohës së rregullt, ndërsa seria e penalltive pas kohës shtesë i dha të drejtë Realit, për të cilin llogaritë i mbylli pikërisht Ronaldo.

Cristiano dhe Antoine, janë pikërisht këta dy futbollistë, imazhi i kësaj finaleje.

Për këtë Europian mund të thuhet se është aktiviteti i thyerjes së tabube. Italia mundi Spanjën, më pas ajo u thye nga Gjermania, me këtë të fundit që u eliminua në gjysmëfinale nga Franca, e cila nuk fitonte ndaj “Panzerave” në një turne madhor që nga viti 1958.

Duket se është radha e Portugalisë që të prishë një mallkim, por nëse do t’ia dalë mbanë, këtë do ta tregojë fusha e lojës. Në 10 ndeshjet e fundit me Francën, “luzitanët” kanë dalë gjithnjë të mundur. Portugalia nuk fiton një ndeshje me “transalpinët” që nga viti 1975. Në vitet 1984 dhe 2000 u dorëzuan përballë francezëve pas kohëve shtesë, në gjysmëfinale. Humbja e fundit ishte ajo në gjysmëfinalen e Botërorit 2006, me rezultatin 1-0.

Top Channel