Teuta nën hetim, Prokuroria austriake dyshon për rezultatin 2-7

08/07/2016 00:00

Një tjetër skuadër shqiptare është akuzuar për dyshime tolerimi në ndeshjet miqësore. Bëhet fjalë për skuadrën e Teutës e cila ka zhvilluar një fazë përgatitore në Austri ku ka zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore.

Në të dyja këto takime durrsakët e drejtuar tashmë nga Julian Ahmataj, janë mundur me rezultate deri diku të parashikuara nisur edhe nga niveli kundërshtarëve. Humbja e parë ka qenë ndaj Riedit me rezultatin 1-0, ndërkohë që e dyta përball Austrisë së Vjenës ku janë mundur 2-7.

Për këtë arsye prokuroria austriake pak ditë pas këtij takimi ka nisur një hetim. Ata kanë shkuar në hotelin ku ndodhej skuadra durrsake duke sekuestruar në fillim celularët e lojtarëve dhe më pas kanë marrë disa dëshmi të tyre rreth ndeshjeve të përfolura.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtuesve të skuadrës durrsake. Të kontaktuar nga Top Channel klubi i Teutës po përgatitet për një përballje ligjore ndaj akuzave që i janë ngritur dhe për këtë arsye do të niset ditën e hënë drejt Vjenës, së bashku me avokatët përfaqësues.

Kjo sipas tyre është një tjetër tentativë për të dëmtuar imazhin e skuadrës së Teutës, e cila sërish me përbërje lojtarësh të rinj do të fillojë edhe sezonin e ri futbollistik. “Djemtë e detit” morën pjesë në këtë edicion në fazën e parë paraeliminatore të Europa League ku u mundën nga skuadra nga Kazakistani, Kairat.

Top Channel