Trajneri i Portugalisë: Luajmë për historinë

06/07/2016 00:00

Sonte në mbrëmje do të mësojmë finalisten e parë të Euro 2016. Uellsi dhe Portugalia do të luajnë për historinë, kështu është shprehur edhe trajneri portugez Fernando Santos, në prag të kësaj gjysmëfinaleje.

Trajneri i luzitanëve e merr me sportivitet gjysmëfinalen e parë të Europianit, madje nuk ngurron të bëjë humor për të shmangur tensionin.

“Ronaldo dhe Bale janë dy lojtarë me shumë eksperiencë dhe që janë mësuar me kaq shumë presion. Mirëpo kjo ndeshje nuk është vetëm mes tyre. Janë shumë futbollistë te të dyja skuadrat që kërkojnë të shkojnë në finale. Nëna ime dikur më thoshte se gjëja më e rëndësishme është të zgjohemi në mëngjes, sepse do të thotë se jemi gjallë”.

Më pas Santos lë të kuptohet se ka dyshime për sa i përket formacionit titullar.

“Të shohim se në çfarë gjendjeje do të jetë Pepe. Kemi nevojë për lojtarë që japin 100%. Ne dëshirojmë të shkruajmë historinë. E kaluara ka rëndësi për të gjithë, por e përsëris ne duam të hyjmë në histori. Ndaj Uellsit mund të hedhim një tjetër hap drejt suksesit final, por do të kemi një kundërshtar shumë të fortë. Do të jetë e vështirë dhe shpresoj që të luajmë me të njëjtën përulësi”, ka thënë trajneri portugez.

Top Channel