Rikonstruktohet Sanatoriumi, Rama: Ky spital, shëmbëlltyra e vizionit tonë

06/07/2016 00:00

Pas 33 muajve rikonstruksion, sanatoriumi i Tiranës u kthye në një qendër rajonale spitalore. Një investim prej 442 milionë lekësh në infrastrukturë dhe pajisje bashkëkohore, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” mund të japë trajtim edhe për sëmundjet e brendshme, të zemrës dhe ndërhyrje të kirurgjisë së përgjithshme.

Pasi isnpektoi spitalin, kryeministri Edi Rama tha se, ky spital është shëmbëlltyra e vizionit të qeverisë për një sistem shëndetësor konkurrues me atë privat.

“E bëjmë me shumë kënaqësi këtë fotografi familjare me një ekip vërtet mbresëlënës, që ka arritur në një periudhë kohe relativisht të shkurtër të përmbysë një histori të hidhur shumëvjeçare rrënimi të këtij spitali kaq të rëndësishëm dhe jo vetëm kaq, por dhe ta transformojë këtë spital në një shtëpi mikpritëse, me infrastrukturë bashkëkohore dhe më një shërbim të kualifikuar e të përkushtuar ndaj të gjithë atyre që vijnë këtu për t’u vizituar. Nuk është më sanatoriumi i dikurshëm, por është një spital rajonal që është pasqyra e ambicies sonë për një shëndetësi të rilindur, për një shërbim publik shëndetësor që nuk i lë asgjë mangët punës e që konkurron denjësisht me çdo spital privat në Tiranë”, deklaroi Rama.

Në zbatim edhe faza e tretë e investimeve që përfshin investimet në qendrën e ekzaminimeve dhe infrastrukturën e godinave të administratës.

Top Channel