Menaxhimi i fondeve IPA, Veliaj kritikon OJF-të për romët: I keqmenaxhojnë

06/07/2016 00:00

Është treguar i ashpër kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj karshi shoqërisë civile që përfiton fonde nga Bashkimi Europian dhe kryesisht atyre që merren me komunitetin rom, të cilat po e pengojnë  për shpërnguljen e disa familjeve  rome nga Bregu i Lumit.

“Kur dëgjojmë recitime se sa para janë harxhuar për këtë komunitet, në fakt nuk janë harxhuar për komunitetin, por për të tjerë që nuk janë pjesë e tij, por që faturojmë pafundësisht ekspertizë për të shkruar pa fund letra, e seminare. Përveçse të tregohemi të disiplinuar në mënyrën se si përdorim fondet, është edhe një moment i madh reflektimi për projekte që kanë duk dhe ofrojnë një rezultat konkret. Ndonjëherë prej kësaj klime dyshuese është bërë aq e vështirë dhe burokracia është bërë aq e ndërlikuar për t’i aksesuar fondet e BE-së”, tha Veliaj.

Shqipëria është një ndër përfitueset e programit IPA dhe për herë të parë në Tiranë ka mbërritur drejtorja e autoritetit menaxhues  të këtyre fondeve, e cila po njihet me reformat në vend.

“Nga IPA janë dhënë rreth 21 milionë euro. Në një raport 70 projekte nga 102 që menaxhon ky autoritet”, tha Aldrin Dalipi, president i rajonit, Adriatikojonian.

Deputetja Majlinda Bregu tha se bashkitë duhet të ngrenë strukturat e tyre për të thithur fonde nga Bashkimi Europian në mënyrë që ato të mos menaxhohen nga qeveria.

“Deri më sot, Shqipëria nuk ka qenë një shembull i përkryer i menaxhimit të fondeve të huaja, por ka qenë një shembull serioz”, tha deputetja e PD, Majlinda Bregu.

Abuzimi me fondet publike duhet të jetë alarm për institucionet tha Bregu, pasi nëse Shqipëria do të humbë besimin e menaxhimit të fondeve të BE-së kjo do të ishte humbja më e madhe në procesin e integrimit.

Top Channel