Oborri i shtëpisë së të moshuarve në Shkodër është shndërruar këtë mbrëmje vere. Të gjithë janë përfshirë në ethet e mbrëmjes së vallëzimit, ku do të luhet muzikë e viteve ’70.

Zonjat e kësaj shtëpie duken shumë entuziaste. E gjithë vëmendja e tyre është përqendruar tek grimi dhe veshja. Sonte duan të jenë tepër të kuruara.

Mirela është  parukierja që po shijon këtë eksperiencë të re të saj. Kësaj nisme i është bashkuar vullnetarisht.

“Thjesht nga një lajmërim në “Facebook”, nga Mirsadi, një djalë shumë punëtor. Në momentin që ai kërkoi ndihmë për një punë të tillë, unë isha shumë e gatshme. Emocionet janë, pasi marr pjesë për herë të parë në një aktivitet të tillë. Kisha një ndrojtje se si do pritesha, por jam pritur shumë mirë”, shprehet Mirela.

Pas disa orësh përgatitje, tashmë gjithçka është gati. Muzika e atyre viteve u rikthen nostalgjinë. Kjo mbrëmje është më shumë se argëtim për të moshuarit. Për brezin e ri që kujdeset për ta, mirënjohja nuk mungon.

“Janë gjëra madhore, të heqin stresin. Me zi e kemi prit këtë mbrëmje. Kemi një kënaqësi të jashtëzakonshme”, shprehen të moshuarit.

Mirsada, punonjëse sociale pranë kësaj qendre, e prek nga afër rëndësinë e këtyre aktiviteteve për të moshuarit.

Orët kalojnë pa ndjerë në këtë oborr. Edhe kësaj here, kënaqësia e të moshuarve kalon çdo kufi. Shijen e mbrëmjes do ta kenë si ushqim shpirtëror për  ditë të tëra,  deri në argëtimin e radhës… 

Top Channel