“Gjelat” në gjysmëfinale, Deschamps tepër i lumtur. Por Gjermania…

04/07/2016 00:00

Franca u kualifikua për në gjysmëfinalet e “Euro 2016” pas një fitoreje bindëse me Islandën, 5-2 në çerekfinale, ndaj dhe trajneri Deschamps nuk e fshehu aspak entuziazmin për këtë triumf të skuadrës së tij.

“Jam shumë i kënaqur për futbollistët, sepse e meritojnë – tha Deschamps. – Jam sidomos i kënaqur për publikun, që na ka mbështetur gjithmonë. Mundëm t’i dhurojmë alegri, emocione. Jam shumë i lumtur për këtë”.

Në gjysmëfinale Franca do të luajë ndaj Gjermanisë, skuadër të cilën Deschamps e vlerëson në maksimum.

“Gjermania është skuadra më e mirë në botë, nuk ka asnjë dyshim për këtë. Edhe pse në ndeshjen me Italinë pati disa momente që u tremb pak. Megjithatë ne jemi në gjysmëfinale dhe do të luajmë mundësitë tona”, tha Deschamps.

Gjermania do të ketë mungesa të rëndësishme në përballjen me Francën, siç është ajo e Hummelsit të skualifikuar dhe Gomezit për shkak dëmtimi. Ndërkohë që në dyshim janë edhe Sami Khedira e Bastian Schweinsteiger.

Top Channel