Ka “Euro 2016”, por ka edhe “RoboCup 2016”

03/07/2016 00:00

Ndërkohë që në Francë, mijëra tifozë janë duke përjetuar emocionet e “Euro 2016”, në Leipzig ka nisur një turne tjetër futbolli, ai i kampionatit për robotë.

Ky është edicioni i 20 i këtij turneu të veçantë futbolli, që është pagëzuar me emrin “RoboCup 2016”. Janë rreth 3.000 robotë të pranishëm në këtë ngjarje, që sigurisht drejtohen nga të zotët e tyre, të cilët luanin në 70 fusha me përmasa nga 6 deri 170 m2.

Nuk janë ende një kërcënim për futbollistët realë, por robotët janë në gjendje që të gjuajnë topin, madje ka nga ata që ecin me të derisa e dërgojnë në rrjetë.

Profesor Gerard  Kretzshmar i Universitetit të “Bon Rhein Sieg” theksoi se një skuadër me futbollistë robotë humanoidë do të jetë në gjendje që të fitojë ndaj skuadrës kampione të botës së FIFA-s në vitin 2050, por shtoi se rruga deri në këtë pikë do të jetë shumë e gjatë.

Turneu “RoboCup 2016” ka nisur më 30 qershor dhe do të mbyllet më 4 korrik.

Top Channel