Shëndetësia, Rama: Po rimëkëmbim sistemin, vlerësime nga OBSH

28/06/2016 00:00

Është zhvilluar pasditen e sotme aktiviteti “Shëndet për të gjithë”, ku të pranishëm kanë qenë kryeministri Rama, ministri i Shëndetësisë Beqaj dhe përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama ka vlerësuar se sistemi shëndetësor në vend i është nënshtruar një “ndryshimi rrënjësor”, duke u bërë gjithnjë e më i dobishëm për qytetarët.

“Është një ndryshim rrënjësor që ka nisur në rrugën e rilindjes së shëndetësisë dhe OBSH jep një vlerësim maksimal”, ka deklaruar Rama.

Duke përmendur si arritje check up-in falas, shefi i qeverisë i ka mëshuar strategjisë së partneritetit publik-privat, e cila sipas tij po ripërtërin funksionalitetin e spitaleve.

“Të vazhdojmë të ndërtojmë partneritetin publik-privat për një shërbim më të mirë dhe për më shumë investime. Shteti nga ana e tij merr përsipër të shlyejë këto investime që vijnë nga privati”, ka sqaruar Rama.

Një tjetër hap shumë i rëndësishëm, ka shtuar ai, është bërë edhe për ngritjen e një baze të dhënash për shëndetin e popullsisë.

Top Channel