PS: Sulmi ndaj Ballës, politik. Ndëshkim fajtorëve

27/06/2016 00:00

Partia Socialiste ka reaguar paraditen e së hënës në lidhje me denoncimin e Taulant Ballës, për një sulm fizik të kryer ndaj tij nga Argita dhe Jamarbër Malltezi, duke e cilësuar atë një sulm politik për shkak të qëndrimeve të deputetit kundër korrupsionit dhe krimit.

“Goditja e rëndë fizike ndaj Taulant Ballës ka qenë e parapërgatitur, e pabesë dhe e kryer në një koshiencë të plotë si pjesë e një lufte ndër vite të familjes Berisha-Malltezi me Ballën. Goditjen e Ballës ne e konsiderojmë një goditje ndaj gjithë grupit parlamentar të PS për të penguar rrugën e reformave ku jemi përfshirë”, ka deklaruar deputeti Alfred Peza.

Në emër të PS, Peza i ka bërë thirrje Kuvendit që të dënojë me ashpërsinë që meriton këtë akt të rëndë ndaj punonjësit të tij dhe që palët ta kthejnë luftën politike në rrugën e arsyes.

Gjithashtu, “PS bën thirrje që policia dhe prokuroria të angazhohen, në bashkëpunim me agjencitë policore italiane, në një hetim për t’i shkuar deri në fund së vërtetës dhe për t’i dhënë ndëshkimin e merituar fajtorëve”, ka shtuar Peza.

Burime nga policia bënë të ditur për Top Channel se tashmë është regjistruar procedimi penal ndaj Jamarbër Malltezit për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës” dhe materialet i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Denoncimi është bërë në komisariatin e Rinasit nga deputeti Balla, menjëherë pas uljes së avionit dhe përfundimit të udhëtimit të përbashkët të tij me familjen Malltezi.

Top Channel