Hazard frymëzon Belgjikën, 4-0 ndaj Hungarisë

26/06/2016 00:00

Hungarezët përjetuan ferrin e “djajve” të Belgjikës, të cilët nuk treguan aspak mëshirë dhe fituan 4-0 në sfidën e fundit të së dielës. Me një Eden Hazard në formë, belgët bëhen të pandalshëm.

Rezultati mund të kishte qenë edhe më i lartë, por portieri 40-vjeçar Gabor Kiraly ishte vendimtar me pritjet e tij. Formacioni i Wilmots bëri një ndeshje me ritëm të lartë dhe rrezikoi që në minutat e para.

Goli nuk vonoi shumë, pasi në minutën e 10 Toby Alderweireld kërceu më së larti në zonë dhe çoi topin në rrjetën e Hungarisë. Pavarësisht rasteve të shumta, 45 minutat e para u mbyllën me këtë rezultat.

Pjesa e dytë nisi me një gjuajtje të Hazard, por Kiraly tregohet sërish vendimtar. Edhe Hungaria rrezikoi me Pinter e Juhasz, por fati nuk ishte me lojtarët e trajnerit gjerman Storck.

Në minutën e 78, Eden Hazard shërben për sulmuesin Michy Batshuayi, i cili i harruar nga mbrojtja kundërshtare, nuk e pati të vështirë të shënonte për 2-0, gol që i dha qetësinë skuadrës belge.

Por, 2 minuta më vonë, Hazard kompletoi paraqitjen perfekte me një gol të bukur. Pasi kaloi 4 lojtarë kundërshtarë, bëri një gjuajtje të bukur dhe topi përfundoi në rrjetë.

Kur u mendua se ndeshja do të mbyllet me rezultatin 3-0, në minutën e 91 Carrasco realizon edhe golin e katërt, duke bërë që Belgjika të arrijë fitoren më të lartë në këtë Europian.

Kundërshtari i Belgjikës në çerekfinale do të jetë Uellsi. Kjo përballje mjaft interesante do të luhet më 1 korrik në ora 21:00 në Lille.

Top Channel