Europiani, sot zbresin Franca, Gjermania e Belgjika

26/06/2016 00:00

Sot është dita e dytë e ndeshjeve me eliminim të drejtpërdrejtë të fazës së 1/8-ave të Europianit, gjatë së cilës do të ketë tri përballje.

E para që do të luhet është Francë-Irlandë, ndeshje që do të startojë në orën 15:00, ndërsa pasdite në orën 18:00, Gjermania do të luajë me një kundërshtar të cilin e ka ndeshur edhe në prag të këtij Europiani, Sllovakinë.

Edhe pse një kujtim i hidhur ajo ndeshje për skuadrën e Low, pasi u mundën 3-1, asgjë nuk lidhet me përballjen e sotme. Nëse në atë ndeshje prageuropiani Gjermania luante me formacionin B apo C, pasditen e sotme do të jetë në maksimumin e saj për të evituar çdo surprizë.

Dilemat e shumta mbeten për formacionin. Ndoshta një pjesë e lojtarëve duhet të pushojnë apo t’u ruhen kartonave si Khedira dhe Ozil, ndërsa nga ana tjetër Boatengu i dëmtuar dhe i rikuperuar “in extremis” mund të jetë një risk.

Fituesi i çiftit mes Gjermanisë dhe Sllovakisë do të përballet me fituesen e çiftit Itali-Spanjë dhe, nisur nga ky fakt, Joachim Low ka filluar të bëjë që tani disa llogari për post-Sllovakinë.

Përballjen Gjermani-Sllovaki do të mund ta ndiqni në Top Channel në orën 18:00.

Ndeshja e mbrëmjes do të jetë ajo mes Belgjikës dhe Hungarisë. Në prag të Europianit, skuadra belge u përzgjodh edhe si skuadra më e kushtueshme me një vlerë prej 318.9 milionë stërlinash, apo 13.8 milionë për lojtar. Bazuar në këto shifra, një lojtar i skuadrës belge vlen më shumë se e gjithë vlera e përfaqësueses së Hungarisë, e cila është vlerësuar në 12 milionë stërlina.

Gjithsesi, jo gjithmonë vlera në parà kthehet në rezultate në fushë. Pas humbjes me Italinë në ndeshjen e parë, Belgjika ka fituar dy ndeshjet e tjera të grupit, duke treguar një formë shumë të mirë të yjeve të saj, si Lukaku me dy gola apo Eden Hazard.

Këto, por edhe të gjitha statistikat flasin për një avantazh të dukshëm të brezit të artë belg përballë Hungarisë. Sikur të mos i mjaftojë kjo, edhe rruga për në finale për skuadrën e Wilmots është e hapur.

Edhe përballjen mes Belgjikës dhe Hungarisë do të keni mundësi ta ndiqni drejtpërdrejt në Top Channel duke nisur nga ora 21:00.

Top Channel