Finalja e Kupës së Amerikës, Messi: Ta fitojmë me çdo kusht

25/06/2016 00:00

Federata e Futbollit në Argjentinë është në ditët e saj më të errëta, por megjithatë ylli i Barcelonës, Lionel Messi duket më i vendosur se kurrë më parë për të triumfuar me Argjentinën në Kupën e Amerikës në finale ndaj Kilit.

“Është një finale e rëndësishme për mua pasi kam mundësi të fitoj Kupën e Amerikës. Është finalja ime e tretë me Kombëtaren dhe do të më pëlqente të ndryshoja historinë. Një triumf do të ishte dhurata më e mirë që mund t’i bënim vetes”, është shprehur Messi.

Argjentinasi është shprehur se humbja do të ishte një zhgënjim i madh. Megjithatë, ai thotë se nuk ka vend për pengje pasi në fjalët e Messit kuptohet se te Argjentina kanë besim se do ta bëjnë të tyrin trofeun.

“Vijmë në këtë ndeshje në një formë mjaft të mirë, ka entuziazëm dhe dëshirë për të luajtur, por të gjitha këto duhet ti tregojmë në fushë. Që nga finalja e humbur vitin e kaluar jemi rritur shumë si skuadër, grupi është konsoliduar dhe gjithçka negative që ka ndodhur na ka bashkuar edhe më shumë”, tha Messi.

Pas dy finaleve të humbura në dy vjet, në Botëror kundër Gjermanisë në 2014, dhe verën e kaluar në finalen në Kupën e Amerikës me Kilin, Argjentina ka një tjetër shans për të ndërprerë “agjërimin” e trofeve që zgjat tanimë prej shumë kohësh. Fitorja e fundit daton në Kupën e Amerikës në vitin e largët 1993 dhe tani përpara është finalja në “MetLife Stadium” të East Rudherford sërish përballë Kilit, dhe Messi ka ndër mend të festojë.

Top Channel