71 mln euro bujqësisë, BE: Korrupsioni, rrezik në përzgjedhjen e projekteve

22/06/2016 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti i kërkoi Bashkimit Europian kritere më fleksibël për përfitimin e fondeve që BE-ja jep për sektorin bujqësor.

“Nuk duam të vështirësojmë procesin, ai duhet të jetë fleksibël dhe miqësor. Kemi parë që një fermer është skualifikuar vetëm se ka shënuar në kutinë e gabuar në aplikim. Kjo nuk është mënyra e duhur. Këtij fermeri duhet t’i jepet një mundësi tjetër nëse ka bërë një gabim. Kërkojmë që procesi të jetë pjesëmarrës, jo përjashtues”, tha Edmond Panariti.

Por, si kreu i delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, ashtu dhe zv.ambasadorja gjermane në Tiranë deklaruan se parregullsitë, e në rastin më të keq korrupsioni, kanë riskun të jenë të larta kur bëhet fjalë për shuma të mëdha financimi.

“Eksperienca tregon se, parregullsitë dhe mashtrimi janë proporcionale me shumën e financimit të përfituar nga sektori. Prandaj është me shumë rëndësi të bëhen të gjitha përpjekjet që të parandalohen, evidentohen dhe përmirësohen parregullsitë e mashtrimet e mundshme në financimin në bujqësi. Këtu është vendi për të theksuar rolin e veçantë dhe përgjegjësinë që autoriteti përkatës ka për parandalimin, evidentimin dhe raportimin e parregullsive dhe mashtrimit”, tha ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.

“Siç tha Romana, risku i korrupsionit kur bëhet fjalë për fonde të mëdha është shumë i lartë në shumë shtete, por në Shqipëri është si një ‘kancer’ me një numër të madh metastazash në të gjithë vendin dhe fatkeqësish ngado. Lufta kundër saj po vazhdon, edhe pse shpesh has në vështirësi. Të dhënat në luftën kundër korrupsionit janë një nga 5 prioritetet dhe çështja më e nxehtë është reforma në drejtësi, që përbën kusht për një luftë të suksesshme kundër korrupsionit dhe një hap të rëndësishëm për të ecur përpara në rrugën europiane”, tha Anke Holstein, zv.ambasadore e Gjermanisë në Shqipëri.

Top Channel