Polonia kalon Ukrainën, në 1/8 e pret Zvicra

21/06/2016 00:00

Një gol i Jakub Blaszczykowskit në minutën e 54 i mjaftoi polakëve që të marrin 3 pikë në sfidën e fundit të Grupit B ndaj Ukrainës dhe të kualifikohen në turin tjetër të Europianit, aty ky i pret e dyta e Grupit A, Zvicra.

Ukraina u bë skuadra e parë që u eliminua nga Europiani, pasi të besuarit e Fomenkos kuptuan fatin e tyre pas ndeshjeve të raundit të dytë pasi rezultatet dhe përballjet direkte nuk i lanë më të shpresonin.

Sidofqoftë, Ukrainë u fut në këtë ndeshje për të mbrojtur nderin dhe për të marrë një pikë, por do të largohen pa shënuar të paktën një gol. Në tre ndeshjet e grupit, ata pësuan 5 herë dhe dështuan të gjenin rrjetën e kundërshtarëve.

Polonia tregoi se dëshironte fitoren që në minutën e katërt, kur rrezikoi me Lewandowskin, por fati ishte me ukrainasit. Këta të fundit u kundërpërgjigjen disa minuta më vonë me Yarmolenkon, që për pak sa nuk realizoi.

U desh të pritej pjesa e dytë që tifozët të shihnin edhe golin e parë, kur Milik i jep një top për mesfushorin e Fiorentinës, Jakub Blaszczykowskit, i cili nga brenda zonës realizon për 0-1.

Pavarësisht disa rasteve të tjera, rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe Polonia e mbyll në vendin e dytë me 7 pikë, aq sa ka edhe Gjermania e vendit të parë, por komshinjtë e tyre kanë realizuar një gol më tepër, ndërsa që sfdia direkte është mbyllur 0-0.

Top Channel