Austria i “var” shpresat tek Alaba kundër Islandës

21/06/2016 00:00

Presioni i të qenit një prej lojtarëve kyç, që ka ndihmuar Austrinë të vijë deri në këtë Europian të Francës, e ka rënduar psikologjikisht mbrojtësin e Bayern Munchen, David Alaba, i cili nuk ka mundur të lërë shenja në dy takimet e para në grupe.

Në ndeshjen e parë të Austrisë në grupin F, atë kundër Hungarisë të humbur 2-0, Alaba u zhvendos nga pozicioni i tij natyral duke luajtur si mesfushor i tërhequr përpara mbrojtjes. Ndërkohë, në takimin tjetër ndaj Portugalisë ai luajti si fantazist, e më pas u zëvendësua në minutën e 65-të.

Trajneri i Austrisë, Marcel Koller është përpjekur gjithsesi të shpjegojë rënien e formës së 23-vjeçarit Alaba, duke përmendur këtu qoftë lodhjen nga një sezon i gjatë me klubin bavarez, sikurse edhe faktin që është përpjekur më shumë se ç’duhet për t’u shfaqur si “lokomotiva” e ekipit.

“Është çështje eksperience”, tha Koller ditën e martë, një ditë para takimit “për jetë a vdekje” të Austrisë ndaj Islandës. “Ai ka luajtur shumë ndeshje të nivelit të lartë në Champions League, e një nivel i ngjashëm është edhe këtu në Europian. Nuk mundesh gjithnjë të përsërisësh të njëjtin nivel çdo ditë që luan”.

“Mendoj se kemi edhe lojtarë të tjerë, të cilët kanë më shumë eksperiencë sesa ai, e që duhet të marrin disi barrën e madhe që bie mbi të. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm mbi kapacitetet e tyre, por thjesht ata nuk mund të luftojnë për çdo top dhe për çdo sprint. Ndaj mund të them se ky eveniment do të shërbejë si eksperiencë për Alabën”, tha më tej trajneri.

Një titullar i rregullt te Bayerni, si mbrojtës i majtë dhe ndonjëherë në qendër të mbrojtjes, Alaba “shpërfytyrohet” duke u aktivizuar në mesfushë për kombëtaren e Austrisë, pasi kështu ai mund të përfshihet më shumë në aksionet e ekipit.

Top Channel