De Biasi: Me Rumaninë, të shënojmë dhe të mos pësojmë

18/06/2016 00:00

“Në ndeshjen me Rumaninë duhet të bëjmë një gol dhe të mos pësojmë një tjetër”. Ka qenë ky rekomandimi që trajneri Gianni de Biasi ka dhënë në konferencën e radhës për shtyp në prag të ndeshjes.

Në fjalën e tij, tekniku i kuqezinjve ka bërë të ditur edhe planet e tij për përballjen me rumunët.

“Jam përpjekur të mëshoj tek ato që kanë qenë pikat tona më të forta. Djemve u thash, nëse duhet të kemi një histori në këtë kampionat, atëherë duhet të bëjmë gjithçka për të patur edhe një mbrojtje të mirë, pasi ata kanë lojtarë shumë të mirë anash. Ne duhet të fitojmë”, ka thënë De Biasi.

Ai ka shprehur bindjen e tij se, pavarësisht humbjeve, lojtarët kanë bërë një performancë të mirë, duke pasur parasysh se kanë patur përballë skuadra me më shumë eksperiencë.

“Luajtëm 1 orë ndaj Zvicrës dhe patëm 3 raste për gol. Besoj se djemtë kanë nderuar skuadrën, fanelën. Kundër Francës mendoj se 50 sekonda para fundit kishim vënë në vështirësi një skuadër me eksperiencë më të madhe se ne. Për fat të keq nuk arritëm të shënonim gol dhe pësuam”, ka vijuar De Biasi. Më pas ai u është përgjigjur edhe pyetjeve të mediave.

Top Channel: Çfarë mund të bëjë kombëtarja që të marrë 1 ose 3 pikë me Rumaninë?

De Biasi: Të bëjmë një gol dhe të mos pësojmë një tjetër. Kjo na ka munguar edhe në ndeshjet e mëparshme. Kur rezultati nuk është pozitiv, performanca del nën hije. Por mendoj se performanca ka qenë e mirë.

Si e shihni kthimin e Lorik Canës?

De Biasi: Cana është një lojtar i rëndësishëm në ekip, edhe për eksperiencën e tij. Besoj se ai do të jetë i rëndësishëm edhe nesër, por do të shqyrtojmë gjithçka në fund të ndeshjes.

Çfarë mendoni për kombëtaren e Rumanisë?

De Biasi: Mendoj se nëse kemi dëshirën për të ecur në këtë kampionat, rumania duhet të ketë më shumë sepse ka edhe 1 pikë. Është skuadër me lojtarë të mirë, që luajnë në mënyrë kompakte dhe që na ngjan për nga mentaliteti.

Ndërkohë, i pranishëm në konferencën për shtyp, portieri i kombëtares, Etrit Berisha ka deklaruar se ekipi është i përgatitur për ndeshjen me Rumaninë.

“Do të japim gjithçka. Do të përpiqemi të fitojmë me çdo kusht”, ka thënë Berisha.

Ai ka mirëpritur kthimin e Canës, duke e cilësuar kapitenin si “shtyllën e skuadrës”, por – ka shtuar – gjithçka varet nga ai vetë. “Jemi të motivuar për takimin, por nëse do të luajë apo jo Cana, këtë do ta vendosë trajneri”, ka thënë Berisha.

Sa u takon ndeshjeve të mëparshme, portieri ka shtuar se, ato i përkasin së kaluarës. “Tashmë e kemi harruar humbjen pasi duhet të fitojmë në ndeshjen e radhës. Lojtarët janë gati për të fituar një kualifikim”, ka shtuar Berisha.

Top Channel