Sokol Balla – Imagjinoni Kombëtaren tonë në finale të Europianit. Imagjinoni sikur përballë të kemi Francën. Imagjinoni sikur Memushaj shënon dhe jo i bie shtyllës, sikur Sadiku godet në shenjë dhe jo jashtë. Imagjinoni… Por vend për imagjinatë nuk ka. Mendoj se nuk ka as për shpresë. Tashmë jemi zyrtarisht ende në garë për një vend të tretë dhe formalisht ende në lojë për të qenë një nga katër të tretat më të mira që do kualifikohen.
A ka ende shpresë? Kështu më pyesin gjatë një lidhjeje “live” me “TV5 Monde” në 11 të mëngjesit nga “Velodrome” i Marsejës. Por unë që dje kam të njëjtën përgjigje për të gjithë:
Ne dje luajtëm finalen tonë…
Nuk kemi pse të kemi asnjë pishman. Nuk mund të presësh më shumë nga kjo kombëtare. Me zemër po, por sërish shifrat janë kokë fortë. 22 gjuajtje në portë ata, 8 Shqipëria. 59% mbajtje topi ata, 41% Shqipëria. Diego Simene do të thoshte se kjo nuk ka shumë rëndësi. Dakord, por Simeone ka në skuadër një Griezman, macen e zezë të kombëtares sonë, kurse ne kemi Sadikun, që luan me Vaduzin. Borxh është edhe aty. Vaduz është kryeqyteti i Principatës së Lihtenshtejnit. Afër Bazel dhe ngjitur me kufirin austriak. Është një parajsë fiskale dhe zyrtarisht regjimi klasifikohet si diktatorial. Me makinë në rrugën kryesore, kalohet nga fillimi në fund, diçka 20 sekonda më shumë sesa Vora. Qesharake apo jo?
Marseja të enjten fliste sërish shqip. Në portin e vjetër, ashtu si marinarët para nisjes, shqiptarët bëjnë xhirot dhe fotot e fundit. Për t’u nisur pastaj në destinacionet e tyre. Por jo pa vizituar të gjithë Chateau d’If. Kështjella që shkrimtari i famshëm Aleksandër Dyma’, e bleu me fitimet e tij të mëdha që nxori nga shitja, veçanërisht e “Kontit të Monte Kristos”. Kështjella, ish-burg për të dënuarit politikë “pa të drejtë kthimi”, u bë teatri ku ai vendosi heroin e tij Edmond Dantes, kontin që u la në harresë nga armiqtë, derisa ai ftohtë përgatit hakmarrjen e tij.
Kështu në ishullin e Edmond Dantes të enjten u fol shqip. Tre djem që kishin ardhur me makinë nga Shqipëria, dy të tjerë nga Nju Xhersi, dy çifte nga Anglia dhe dy shokë nga Prishtina. Të gjithë të dëshpëruar. Mendojnë për fatin e keq që i ka gjetur lojtarët që humbën sërish në minutë të fundit. Më pas në anije dy kosovarët futen në një debat paksa me delikat me tre tiranasit. Të cilët mbrojnë Lilën ndërsa prishtinasit mbrojnë Kukelin. Ndërhyj sikur t’i kem në emision dhe u sugjeroj se lojtarët janë të gjithë njësoj kur veshin bluzën e kuqe. Se kur i lavdërojmë, i lavdërojmë njësoj, kur i kritikojmë, i kritikojmë njësoj. Se nuk duhet të kemi kompleksin të kritikojmë Berishën i cili këto ndeshje, nuk është Berisha që ne duam. Që Xhaka e meriton bluzën e Shqipërisë, këto dy ndeshje vetëm sepse ka inat shqiptari, që Lila ishte për të qarë hallin, në duelin e tij të humbur për 90 minuta me Evra, se Ansi Agolli dhe Elseid Hysaj, janë dy lojtarët që po mbajnë mbrojtjen dhe se Abrashi është i vetmi, (deri diku dhe Kukeli) që jep garanci kur e prek topin. Këtu debati nxehet sërish dhe bëhemi të gjithë De Biasë. “Bile De Biasi duhet të iki”, thotë një nga dy prishtinasit. “Koha e tij ka mbaruar”.
Ndoshta e ka kuptuar këtë edhe vetë ai. Por a do të shkojë Gianni tek sheikët e Al Nasrit, apo do të vazhdojë aventurën kuqezi? Një gjë është e sigurt: të mërkurën në “Velodrome” në mungesë të Lorik Canës, emri i De Biasit brohoritet më shumë nga të gjithë. Brohoritet nga 13 mijë tifozët shqiptarë, ata që po kthehen në të preferuarit e Europianit, aq sa UEFA i bëri pyetjen nëse kishin një tjetër surprizë në Marsejë. Surpriza ishte sërish flamuri që pushtoi kësaj radhe Fan Zone në Plazhin Prado.
Pa folur për Riken nga Milano sigurisht.
Por ndërsa grupi miks i shqiptarëve shpërndahet, ndërsa zbret nga anija që i solli nga Kështjella e Edmond Dantes, më shkon mendja tek libri i Dyma. Edhe personazhi i tij vjen kështu me një anije dhe nis hakmarrjen e tij. Ashtu si shqiptarët, në fushën e Europianit apo në shkallët e stadiumeve, përmbyllën “hakmarrjen” e tyre ndaj Europës që jo pak i përbuz akoma.
Janë ata shqiptarët, në fushën e “Velodrome” dhe në shkallët e saj që respektuan dhe duartrokitën viktimat e Orlandos. Shqiptarët, ata myslimanët e Ballkanit, që i tregojnë botës se Islami i tyre pranon jo vetëm fetë e tjera, por edhe lirinë seksuale dhe për më shumë, lirinë e jetës.
Dhe më kujtohet sërish Aleksandër Dyma, autori i Kontit të Montekristos, që pakkush e di që në fakt ishte me ngjyrë. Dhe kur një ditë një rus arrogant e pyeti nëse ishte zezak, ai i ktheu përgjigjen elokuente: “Është e vërtetë. Babai im ishte mulat, gjyshi zezak, ndërsa stërgjyshi majmun. E shihni? Familja ime fillon, aty ku e juaja mbaron.”
Do doja që Dyma të ishte gjallë e të kishte mundësi të shkruante hakmarrjen e një kombi të cilësuar nga disa “me bisht”. Por në ndihmë më vjen “Twitter”. Lajmërimi prej andej i BBC, se dy tifozë rusë ishin dënuar me dy vjet burg, për dhunën kafshërore në Marsejë. Aty ku të enjten shqiptarët festuan humbjen e skuadrës së tyre, duke kënduar së bashku me francezët.
Kohërat kanë ndryshuar, kështu edhe shqiptarët. Të enjten ndryshoi edhe prefiksi në moshën e De Biasit. Po 60 vjetori i tij u festua siç festojnë shqiptarët: me humbje.
Po ç’rëndësi ka? Hakmarrja filloi. Konti i Montekristos doli nga kështjella.
Gëzuar ditëlindjen Mister!
Top Channel