De Biasi: Dhamë gjithçka, ja çfarë u thashë lojtarëve pas humbjes

15/06/2016 00:00

Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi ndjen keqardhje që skuadra nuk arriti të merrte një rezultat pozitiv ndaj Francës, por pavarësisht se dështuam në këtë mision, ai është shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës.

“Ndjejmë keqardhje për humbjen, sepse deri dy minuta përpara fundit mund të kishim marrë rezultat. Djemtë zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer dhe treguan se jemi një skuadër që e meriton të luajë në Kampionatin Europian. U përballëm me një skuadër shumë të fortë, të cilën e vendosëm në vështirësi në më tepër se një rast. Pashë entuziazmin e lojtarëve të Francës në momentin e shënimit të golit, sipas meje edhe ata nuk e besonin më se do të fitonin”, u shpreh De Biasi.

Trajneri kuqezi ka vetëm vlerësime për lojtarët dhe beson se kuqezinjtë meritonin diçka më tepër. Ai tha se skuadra dha gjithçka që kishte, por ndoshta në këtë natë edhe fati na braktisi.

 “Nuk jam i zhgënjyer nga asgjë. Jam krenar nga skuadra që kam në dispozicion, që zhvilloi një paraqitje të mirë dhe që u përshëndet nga tifozët e pranishëm. Diçka e merituar, vetëm kjo duhet thënë. Hodhëm në fushë gjithçka që kishim në dispozicion, për të provuar që ta godisnim Francën. Mund të kishim shënuar në fillim të ndeshjes, por nuk ia dolëm. Ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe sepse gjithashtu goditëm edhe shtyllën, ashtu siç e goditën edhe kundërshtarët. Meritonim diçka më tepër, por kjo nuk ka më rëndësi. Tashmë duhet të shohim përpara, kemi edhe ndeshjen e tretë dhe vetëm në fund do të bëjmë llogaritë”, vijoi De Biasi.

Trajneri italian tregoi edhe se çfarë u kishte thënë lojtarëve në dhomat e zhveshjes, ku sigurisht të gjithë lojtarët i kishte gjetur me kokë poshtë.

“Është normale që lojtarëve u ra morali, por u kërkova që të ngrenë kokën, të jenë krenarë për atë që dhanë në fushë, pasi i shpenzuan të gjitha energjitë që kishin dhe zhvilluan një ndeshje, të cilën ata që e panë mund të thotë se panë një skuadër të vërtetë në fushë, që vendosi në vështirësi dhe Francën që është një emër i madh”, tha italiani.

Të dielën përballë Rumanisë, De Biasi kërkon nga skuadra që të shënojë golin e parë në Kampionatin Europian, si mënyra e vetme për të fituar dhe për të shpresuar.

“Tashmë do të përpiqemi të rikuperojmë energjitë për ndeshjen e tretë me Rumaninë, ku do të kërkojmë golin që na mungon këtu në Europian. Për një arsye ose për një tjetër nuk kemi arritur të shënojmë, edhe pse gjithmonë i shkojmë pranë. Por, nëse nuk shënon nuk arrin ti fitosh ndeshjet dhe duhet të tentojmë ta shënojmë me më tepër kualitet”, tha De Biasi.

Top Channel