Kuqezinjtë nisin përgatitjet për sfidën ndaj Francës

12/06/2016 00:00

Kombëtarja shqiptare ka zbritur në fushën e “Ives le Jannou” në Perros Guirec për të nisur përgatitjet për ndeshjen e dytë të grupit, atë kundër Francës. Të dielën kishte dy seanca stërvitore, një paradite dhe një pasdite, ndërsa kishte edhe një mbledhje për të analizuar gabimet në mbrojtje ndaj Zvicrës dhe që ato të mos përsëriten me Francën.

Paradite, stafi teknik u mjaftua me ushtrime shkrydhëse dhe rikuperuese në palestër për titullarët, ndërsa për pjesën tjetër u zhvilluan ushtrime me ngarkesë më të lartë fizike.

Në seancën e pasdites, skuadra u nda në dy grupe në pjesën e parë të stërvitjes, me titullarët që vijuan ushtrimet shkrydhëse me përgatitësin atletik Bele, ndërsa Tramezzani u përqendrua te lojtarët që luajtën pak ose aspak ndaj Zvicrës.

Ndërkohë, pas 15 minutëshit ku ishin të pranishëm edhe kamerat, De Biasi u përqendrua në ushtrimet taktike, sidomos në fazën mbrojtëse, ku duhet të vendosë se cili do të luajë përkrah Mavrajt në qendër në mungesë të Lorik Canës.

Ajeti mbetet një alternativë e besueshme, por nuk përjashtohet mundësia që të rikonfirmohet Kukeli, i cili zhvilloi një paraqitje shumë të mirë në këtë pozicion pas largimit të Canës.

Po ashtu, gjatë ditës është zhvilluar një mbledhje me futbollistët për të analizuar dhe shmangur gabimet para sfidës me Francën.

Stërvitjet e së dielës i kanë ndjekur edhe dhjetëra tifozë, të cilët janë lejuar për disa minuta të futen në kompleksin në Perros Guirec, aty ku kombëtarja vijon përgatitjet në Europian.

Top Channel