Jehona e një ndeshjeje. Mediet zvicerane: Fituam, por nuk mjafton

12/06/2016 00:00

Debutimi i kombëtares shqiptare në sfidën me Zvicrën në “Euro 2016” gjeti shumë hapësirë në median europiane, e cila nuk ngurroi të vlerësojë lojën e përfaqësueses sonë, që për një pjesë të mirë të kohës luajti në inferioritet numerik.

Në Zvicër, e përditshmja “Blick” publikon një koment të gazetarit Feliks Bingeser, ku lexohet: “Nuk mjafton vetëm fitorja 1-0 ndaj Shqipërisë. Rrezikuam shumë. Duhet një paraqitje më e mirë, nëse duam të kalojmë në raundin e dytë”.

Në Francë, e përditshmja “L’Equipe” shkruan: Debutim pa zhurmë. Zvicra, edhe pse në superioritet numerik që nga minuta e 36, mori një fitore të vështirë ndaj një Shqipërie kurajoze, por të limituar.

Në Itali, e përditshmja më e madhe sportive “La Gazzetta Dello Sport” publikon artikullin me titull: “Gabon Berisha, shënon Schär”. Debutim i pafat për De Biasin, i tradhtuar nga një gabim i portierit të tij; Cana u ndëshkua me të kuq në minutën e 37, ndërsa Gashi humbi mundësinë e artë të barazimit 3 minuta nga fundi i ndeshjes.

E përditshmja spanjolle “AS”, në përshkrimin që i bën sfidës së kombëtares e vë theksin më shumë te portieri Berisha. “Berisha, nga Zero në Hero”, shkruan kjo e përditshme duke theksuar se, pas gabimit fatal në minutën e 5-të, ai arriti të mbajë në lojë Shqipërinë që luajti për shumë minuta me 10 lojtarë. Në krahun tjetër, kolegu i tij “Sommer shpëtoi Zvicrën nga barazimi”.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel