Tirana bëhet gati për festë, garë mes lokaleve për të pritur tifozerinë

10/06/2016 00:00

Kur mbeten edhe pak orë nga nisja e Kampionatit Europian Francë 2016, edhe Tirana po i jep dorën e fundit përgatitjeve të ambienteve që do jenë tërësisht të dedikuara për të ndjekur këtë eveniment sportiv, ku për herë të parë merr pjesë Shqipëria.

Sheshi “Nënë Tereza”, është shndërruar në një stadium të vërtetë, ku mijëra qytetarë do të kenë mundësi të ndjekin ndeshjet nëpërmjet monitorëve gjigant.

Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për lokalet në zonën e ish-Bllokut, zonë kjo e njohur për frekuentimin e lartë nga të rinjtë.

Atje atmosfera duket e vaket dhe mesditën e së premtes, vetëm disa lokale kishin vendosur flamuj për të dekoruar ambientet, çka lë të kuptohet se veç betejës në fushën e futbollit, do të ketë një tjetër betejë ekonomike mes lokaleve të ish-Bllokut dhe “Fan Zone”, në sheshin “Nënë Tereza”.

Kjo e fundit duket më e avantazhuar si për ambientet më të mëdha që ofron ashtu edhe për çmimet konkurruese.

Edhe dyqani zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, ditët e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të blerësve të bluzave të kombëtares.

“Dy ditët e fundit fluksi ka qenë shumë i lartë, ndërsa sot pak më ndryshe pasi shumica e klientëve janë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit”, shprehet një shitëse.

Por ka dhe të huaj, të cilët janë të interesuar për bluzat e kombëtares shqiptare.

“Mua më pëlqen Shqipëria, madje kam blerë bluzën e kuqe dhe të zezën, e cila më pëlqen më shumë. Hera e parë që Shqipëria është në një kompeticion europian dhe unë i uroj Shqipërisë që të shkojë sa më larg”, shprehet një mbështetës i Shqipërisë.

Edhe Posta e Shqipërisë nuk ka mbetur pas. Për të shënjuar këtë ngjarje të rëndësishme, me date 10 qershor ka emetuar pullën postare me tematiken ”Shqiperia në Euro 2016”, e cila mbart një sërë elementësh kombëtarë.

Top Channel