Petkovic: Shqipëri-Zvicër, një derbi i vogël

10/06/2016 00:00

Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkovic, ka pohuar se 90 minutat e të shtunës do të tregojnë qartë që skuadra e tij është më e mirë se Shqipëria e De Biasit.

“Do jetë një ndeshje e vështirë jo vetëm sepse luan Zvicra kundër Shqipërisë si një derbi i vogël, por edhe sepse është ndeshja e parë në këtë Kampionat Europian. Të gjithë duan ta nisin me këmbën e mbarë kështu që edhe ne duam të tregojmë që jemi në rrugë të mbare dhe që jemi më mirë se Shqipëria”, u shpreh Petkovic.

Mediat europiane e kanë futur përballjen Shqipëri – Zvicër në gjërat më interesante të këtij Europiani. Madje shumë prej tyre e kanë cilësuar si ndeshja mes Shqipërisë A dhe Shqipërisë B.
 
“Jo, jo sepse tek ne ka shumë lojtarë që kanë lindur në Zvicër ose që kanë ardhur nga Kosova apo Maqedonia dhe që nuk janë nga Shqipëria. Dhe në skuadrën tuaj ka shumë që janë nga këto vende, por njihen mirë, kemi edhe vëllezër që luajnë kundër njëri-tjetrit, janë rritur shumë në Zvicër. Duhet të jetë një festë futbollistike dhe të mbetet e tillë”, tha Petkovic.

Top Channel