Mustafa viziton Graçanicën me flamuj serbë: Ndihem si në komunën e Kosovës

10/06/2016 00:00

Kryeministri Isa Mustafa, gjatë një vizite në komunën e Graçanicës ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Valdeta Kostiç, tha se qeveria që ai drejton ka shumë arsye që ta përkrahë këtë komunë dhe të investojë atje, pasi edhe qytetarët e Graçanicës duhet të kenë të drejtën e punësimit dhe të jenë pjesë e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Gjatë kësaj vizite, ai u pyet nga gazetarët nëse po ndihej sikur të ishte duke vizituar një komunë Serbisë apo të Kosovës, duke pasur parasysh që në Graçanicë valëviten vetëm flamujt e Serbisë. Kësaj pyetjeje, Mustafa iu përgjigj duke thënë se ai po vizitonte një komunë të Kosovës, në të cilën është pranuar si kryeministër i Kosovës.

“Së pari unë kam ardhur sot në një komunë të Kosovës dhe jam pranuar si kryeministër i Republikës së Kosovës në këtë komunë. Kjo është shumë e qartë për ne. Sa për çështjet e tjera, do të punojmë edhe në lidhje me Asociacionin. Por sot nuk kemi biseduar me kryetarin e komunës në lidhje me këtë, kemi biseduar vetëm për problemet që i përkasin zhvillimit të komunës së Graçanicës”, tha Mustafa.

Ndërsa kryetari i komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiç tha se në takimin me kryeministrin Mustafa e ka njoftuar atë me problemet, me të cilat përballet komuna që ai drejton, si dhe për planet e tyre për rregullimin e infrastrukturës. Ndërkohë që ka kërkuar edhe rritje të buxhetit për këtë komunë.

“E kemi njoftuar me problemet që përballet komuna jonë, siç është për shembull buxheti i pamjaftueshëm. Sinqerisht besoj që nga ana jonë ka qenë gjithçka transparente. Shpresojmë që Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës do të na ndihmojnë t’i zgjidhim problemet tona dhe kryeministri të ketë mirëkuptim për këtë. Unë vlerësoj se kjo vizitë ka qenë e suksesshme”, tha Kostiç.

Top Channel