Kosovë, PDK-AAK-Nisma: E nevojshme rinovimi i mandatit të EULEX

10/06/2016 00:00

Për shkak të dështimit të institucioneve në Kosovë që të vendosin rend dhe ligj, EULEX-it duhet t’i vazhdohet mandati. Kështu kanë deklaruar dy krerët e subjekteve opozitare, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën.

Haradinaj tha se, vazhdimi i misionit të EULEX-it në Kosovë vjen si pasojë e dështimit të institucioneve të drejtësisë në vend.

“EULEX nuk ka ardhur si një mision i përhershëm, por si mision i përkohshëm. Mandati i tij dyvjeçar ka qenë gjithmonë i rinegocueshëm, me qëllim për ta përmbyllur. Por tani ka një qëndrim ndryshe, vazhdimi i mandatit kuptohet me kufizime shtesë, mirëpo e tëra kjo vjen nga dështimi i institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj. Mungesa e kapaciteteve të Kosovës e kanë bërë të pashmangshme këtë. EULEX duhet të jetë i angazhuar në të gjithë Kosovën, kuptohet edhe në veri, dhe ne e dimë që atje ka mungesë të respektimit të rendit dhe ligjit”, tha Haradinaj.

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha se EULEX-i është i nevojshëm në Kosovë.

“Besoj që po, natyrisht me një kapacitet të ndryshëm. Nuk e di se çfarë kanë negociuar, por që është i nevojshëm, besoj që është. Vet fakti i gjendjes në këtë vend tregon se në çfarë situate jemi. Imagjinoni kur një Gjykatë Kushtetuese i vlerëson dhe i karakterizon gjykatësit si rrugaçë, kjo tregon më së miri ku jemi”, tha ai.

Lidhur me vazhdimin e mandatit të EULEX-it ka komentuar edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti. Ai tha se EULEX është Europa, ku edhe po përpiqemi të hyjmë, dhe se me vazhdimin e mandatit të tij nuk duhet të ketë frikë askush.

Top Channel