Në pritje të debutimit, Rumania optimiste për pikë ndaj Francës

09/06/2016 00:00

Sytë e të gjithë botës sportive do të jenë të fiksuar mbrëmjen e së premtes për ndeshjen hapëse të “Euro 2016” mes Francës dhe Rumanisë, por për tifozët shqiptarë, vërshëllima e parë në Paris ka një vëmendje të shtuar.

Dy skuadrat ndodhen në grupin finalist të kuqezinjve, ku edhe pse ende herët, kanë nisur llogaritë për kualifikimin.

Për sfidën në “Stade de France”, trajneri i kombëtares rumune, Angel Iordanesku pret të marrë pikë, edhe pse ndaj vendasve euforikë, me mbështetje në tribuna dhe yje në fushë, do të jetë një mision i vështirë.

“Është një nder vërtet i madh për Rumaninë, që hap një kompeticion prestigjioz si ‘Euro 2016’, ku përveçse luajmë ndaj vendit organizator, përballemi edhe me një favorit për turneun. Kemi besim në forcat tona dhe e dimë që kemi një skuadër konkurruese, por çdokush e njeh kualitetin sulmues të Francës dhe individualitetet që ka brenda. Kam studiuar disa sesione me video të kombëtares kundërshtare dhe do të bëjmë të pamundurën të marrim pikë. Do të ishte e vështirë të krahasonim Francën me ekipet e tjera të grupit tonë, por edhe pse të ndryshëm, nuk do të luajmë në mbrojtje”, tha trajneri i Rumanisë.

“Ne do synojmë të balancojmë ndeshjen dhe t’i shkaktojmë probleme skuadrës vendase. Në mbrojtje Franca ka disa probleme”, tha Iordanesku. Pas përballjes së Parisit, Rumania luan ndaj Zvicrës po në Paris, e më pas e mbyll fazën e grupeve me Shqipërinë në Lion.

Top Channel