Kosovë, rikthimi i VV në Kuvend shoqërohet edhe votim e kritika

09/06/2016 00:00

Partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, prej kohësh bojkotonte seancat e Kuvendit, por e enjtja shënoi një kthesë 180 gradë në këtë qëndrim, me pjesëmarrjen e kësaj force politike në Parlament.

Sikur kjo të mos mjaftonte, Vetëvendosje mori pjesë edhe në votimin e disa projektligjeve, të cilat janë dërguar nga Qeveria e Kosovës për t’u miratuar në Kuvend. Deputetët e Vetëvendosjes votuan disa nga këto projektligje, duke i shtyrë përpara proceset e qeverisjes aktuale, edhe pse për ta kjo qeverisje vlerësohej si “jolegjitime dhe e dështuar”.

Sigurisht që komentet e Vetëvendosjes së sallë nuk kanë munguar dhe kritikat, si zakonisht ishin për pushtetin aktual. Kreu i VV-së, Visar Ymeri tha se Qeveria e Kosovës është përgjegjësja kryesore për situatën e rënduar ekonomike në vend, për krimin e organizuar, korrupsionin dhe dukuri të tjera negative, që kanë frenuar progresin e Kosovës.

Vetëvendosje rikonfirmoi qëndrimin e saj kundër marrëveshjes për Asociacionin e Komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, ndërsa anëtarë të saj thanë se, kjo qeveri që ka hyrë në vitin e dytë të saj, i ka shërbyer interesave të Serbisë dhe jo të qytetarëve të Kosovës.

Gjithsesi, rikthimi i Vetëvendosjes në Kuvend pas episodeve të shpeshta me gazin lotsjellës, është cilësuar pozivite nga analistët. Sipas tyre, kjo tregon se diskutimi politik po kthehet aty ku e ka vendin, në Parlament, dhe ngjall një shpresë të vaktë për politikëbërje më gjithëpërfshirëse dhe mbase më efikase.

Top Channel