Familja Çapja reagon: Na sulmoi policia

09/06/2016 00:00

Përmes përfaqësuesve të saj ligjorë, familja Çapja, e përfshirë në disa konflikte të armatosura në qytetin e Elbasanit, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e një nate më parë, kur u qëllua me armë ndaj Policisë së Shtetit.

Familja Çapja, në deklaratën e saj akuzon Policinë e Shtetit se ka ushtruar terror dhe dhunë ndaj grave, të moshuarve, të sëmurëve, e madje edhe fëmijëve të kësaj familjeje. Çapjat pretendojnë se efektivë policie, të armatosur dhe të maskuar, kanë kërcënuar edhe dhjetëra shtetas të huaj, të cilët ndodheshin në hotelin në pronësi të kësaj familjeje.

Në lidhje me këtë, përfaqësuesit ligjorë të familjes Çapja i kanë kërkuar trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, të ndërmarrë veprimet e duhura përkundrejt terrorit të shkaktuar në ambientet e hotelit, duke vënë në dispozicion listën emërore të të gjithë klientëve të huaj.

Në lidhje me ngjarjen e një nate më parë, Çapjat thonë se, në një mjet me xhama të zinj ndodheshin 4 përsona, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit. Sipas Çapjave, këta përsona nuk kishin asnjë mjet dallues që ishin punonjës policie.

Më pas – thotë familja Çapja në deklaratën e saj, – efektivë të FNSH-së janë afruar duke qëlluar në mënyrë të pakontrolluar, madje edhe gjatë kontrolleve nëpër shtëpitë e tyre nuk është lejuar të jetë i pranishëm asnjë anëtar i familjes. Familja Çapja deklaron se, që prej muajit shkurt, kur dy pjesëtarë të familjes mbetën të vrarë, ndihet e kërcënuar dhe e rrezikuar.

Top Channel