Debati për Rrugën e Arbrit, Haxhinasto: Projekti i gabuar

09/06/2016 00:00

Zonja Mesila Doda, kërkuese e interpelancës me ministrin e Transporteve për Rrugën e Arbrit, pyeti se pse kjo rrugë nuk po financohet duke lënë në harresë një prej zonave më të varfra në vend.

“Unë po ju them diçka. Ata njerëz meritojnë që të kenë një mundësi në jetë dhe mundësia e tyre është lidhja me kryeqytetin. Është një zonë nga më të varfërat në vend dhe kjo falë mosseriozitetit të të gjitha qeverive, që shkojnë e vijnë premtojnë Rrugën e Arbrit, dhe ajo rrugë nuk ekziston askund, as virtualisht”, tha Mesila Doda, deputete e PDIU-së.

Rruga e Arbrit ka një gjatësi prej 72 kilometrash, nga Tirana në Peshkopi. Pjesa e papërfunduar kërkon një investim prej 230 milionë eurosh. Por për ministrin Haxhinasto, planifikimi i fondeve ka qenë i gabuar që në fillim kur nisi projekti, ndërkohë që buxheti nuk mund ta përballojë financimin, sepse do të liheshin pa fonde projekte të tjera.

“Kjo rrugë është konceptuar keq që në fillim, është planifikuar vetëm 50 për qind e saj me projekt, është investuar në 3 vite 6 miliardë por nevojat janë për shumë më tepër. Vetëm për të përfunduar pjesët e bëra më përpara, jo segmentin aktual, duhen 30 milionë euro, të cilat buxheti i shtetit nuk i ka”, tha ministri Haxhinasto.

Praktikisht në këtë projekt puna ka ndaluar. Ka pasur disa oferta nga një kompani kineze për ta ndërtuar me formulë Partneritet Publik-Privat, por që janë konisderuar të papranueshme nga qeveria. Aktualisht është një kompani shqiptare që është vetofruar, ndërkohë që pritet po ashtu nga kompania kineze një ofertë tjetër.

Top Channel