Bushi e Rroshi në prokurori, KQZ dërgon formularët

09/06/2016 00:00

Me shatë vota pro, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të dërgojë për verifikim më të thelluar formularët e vetëdeklarimit të kryebashkiakëve Elvis Rroshi dhe Artur Bushi, pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

“Duke shqyrtuar formularin e tij, ai është i paqartë qoftë për dënimet, qoftë për ndalimet e tij në Gjermani. Edhe për emrin, sepse nga gjendja civile nuk na ka ardhur ndryshimi i emrit. Unë jam i mendimit që ta kalojmë këtë draft dhe që kryetari i Bashkisë së Kavajës të shkojë për hetime të thelluara në prokurori”, deklaroi anëtari Hysen Osmani.

Ishte vetë organi i akuzës që kërkoi pak ditë më parë vënien në dispozicion të këtyre formularëve, pasi kishin indicje se dy personat në fjale kishin parregullësi në formularët e tyre.

Gëzim Veleshnja bëri dhe një propozim lidhur me rastet e ngjashme. “Të gjithë këta që kanë bërë deklarime që kanë qenë të dënuar duhet të shkojnë në prokurori”, deklaroi Veleshnja.

Një tjetër pikë e rendit të ditës ishte dhe plotësimi i vendit vakant, lënë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vendosi ndërprerjen e mandatit për deputetin Koço Kokëdhima.

Duke qenë se formulari i vetëdeklarimit i Edmond Lekës, i cili do të marrë dhe mandatin e deputetit, ishte dorëzuar vetëm pak minuta përpara fillimit të mbledhjes, KQZ vendosi që ta shtyjë dhënien e mandatit të tij për të premten.

Top Channel