Ndryshe nga VV, AAK-ja vijon bojkotin e Kuvendit

08/06/2016 00:00

Për dallim nga ish-partneri i bllokut opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marrë pjesë as në seancën e nesërme të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pjesëmarrja e këtij subjekti politik në seancat e Kuvendit do të jetë vetëm atëherë kur të trajtohet çështja e demarkacionit me Malin e Zi.

Kështu bëri të ditur nënkryetari i AAK-së, Ali Berisha në një konferencë për media. Ai theksoi se vendimi i AAK-së për bojkotim të seancave të Kuvendit është marrë shumë kohë më parë, me arsyetimin se Asociacioni i Komunave Serbinë në Kosovë dhe marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi duhet të marrin zgjidhje në legjislativin e vendit.

“Aktualisht AAK-ja, besoj edhe Nisma, kanë qëndrim se nuk do të jenë pjesë e Kuvendit, vetëm e vetëm atëherë kur të trajtohet çështja e demarkacionit. Ju e dini se refleksionet e Qeverisë deri më tani nuk kanë qenë pozitive në këtë drejtim, ju e dini që kërkesë e vazhdueshme ka qenë që Komisioni i cili ka bërë gabimin me vendosjen e demarkacionit të vijës kufitare me Malin e zi duhet të shkarkohet dhe duhet të fillohet nja proces i ri i negocimit për demarkacionit… Në momentin që trajtohet çështja e demarkacionit është një qëndrim i partisë qysh herët se AAK-ja të kthehet në Kuvend dhe të mundohet me të gjitha metodat e veta demokratike me kundërshtu një marrëveshje të tillë”, tha ai.

Ndërsa, kur të vijë koha që AAK-ja të kthehet në Kuvend, Berisha theksoi se kundërshtimi do të vazhdojë edhe aty me metoda demokratike, duke përjashtuar mundësinë e përdorimit të gazit lotsjellës. Ai gjithashtu tha se kundërshtimi do të vazhdojë edhe jashtë Kuvendnit duke shtuar se ka shumë grupe njerëzish që kanë paralajmëruar protesta dhe bllokim të rrugëve.

Ndërsa, në lidhje me ftesën e VV-së për AAK-në dhe Nismën në lidhje me një bashkëpunim të mundshëm, Berisha tha se ende nuk është trajtuar.

Sa i përket ndryshimeve në Kosovë tani pas kanë kaluar dy vjet pas zgjedhjeve të përgjithshme, Berisha theksoi se në shumë aspekte ka degradime.

“Ju po e shihini që në Kosovë nuk ka avancim ët asnjë çështje, në aspektin pozitiv, ka degraduar në shumë aspekte. Ne kemi konsideruar se sidomos në aspektin e ndërtimit të brendshëm dhe mundësia e futjes së Serbisë përmes metodave jo shumë të mira, siç është çështja e Asociacionit është diçka më e dëmshme që ka mundur t’i ndodh Kosovës, madje cenimi i sovranitetit duke i pas për bazë edhe shumë aspekte të tjera që është kapja e shtetit, korrupsioni, krimi i organizuar, niveli i arsimit, shëndetësisë dhe shumë aspekte të tjera që janë gjithsesi në degradim e sipër”, tha Berisha.

Top Channel