Korçë, ambasadori hungarez: Drejtësia, çështja kryesore për të ardhmen e Shqipërisë

08/06/2016 00:00

Nga Korça, ambasadori i Republikës së Hungarisë , Antal Heizer ka theksuar se reforma në drejtësi mbetet çështja prioritare për Shqipërinë. Duke komentuar deklaratat e kreut të opozitës, Lulzim Basha, lidhur me pozicionimin e ambasadores Romana Vlahutin majtas, diplomati hungarez ka apeluar që të gjitha partitë politike të jenë pozitive.

“Reforma në drejtësi është çështja numër një për nga rëndësia për të ardhmen e vendit tuaj. Basha dhe ambasadorja Vlahutin kontaktojnë çdo ditë me njëri-tjetrin. Jam i sigurt se BE-ja është shumë objektive në çështjen me Shqipërinë. Për të qenë më të qartë lidhur me këtë deklaratë, pyesni vet zotin Basha. Ajo që dua të theksoj është se, Shqipëria krijoi në një kohë të shkurtër mundësinë për ndryshimin e sistemit të drejtësisë. A e imagjinoni dot sesi një vend kaq i vogël krijoi mundësinë e një ndryshimi të tillë? Është rezultat i madh të jesh pranë votimit, ndaj e rëndësishme është që partitë të kenë sensin pozitiv ndaj kësaj gjëje. Është normale që çdo parti të ketë rezervat e saj ndaj ligjit, por duhet të tregohen pozitivë dhe do të gjejnë zgjidhjen”, tha ambasadori Heizer.

Këto deklarata, ambasadori hungarez i ka bërë nga Korça, ku është pritur nga kryebashkiaku Sotiraq Filo dhe stafi  i tij. Gjatë takimit, ambasadori ka ofruar partneritet për mbështetjen e bizneseve të reja vendase, si dhe përfshirjen e investitorëve hungarezë në Korçë.

Top Channel