Gjelit francez i ndalohet hyrja në Europian

08/06/2016 00:00

Balthazar, gjeli i famshëm francez i cili është shndërruar në simbol kombëtar e që ka marrë pjesë në shumë evente sportive, nuk do të jetë në Europian, pasi kështu vendosën autoritetet e sigurisë.

Frika nga sulmet terroriste ka shtyrë autoritetet që të ndalojnë çdo lloj kafshe të futet në stadium, ndërsa Clement Tomaszewski, pronar i gjelit, ka marrë një letër ku i është kërkuar të mos marrë me vete në stadium Balthazarin.

“Ju nuk do të lejoheni të futeni në stadium me gjelin tuaj të njohur Balthazar. Prezenca e tij do të vinte në një pozicion të vështirë pjesëtarët e sigurisë”, thuhet ndër të tjera në letrën që ka marrë Tomaszewski, i cili nuk është në një mendje me autoritetet.

“Jam 68-vjeç dhe ky do të jetë Europiani i gjashtë dhe i fundit për mua. Jam shumë i zemëruar”, u shpreh Clement që tha se do të shkojë në çdo ndeshje të Francës bashkë me gjelin e tij.

Pasi u pa në shumë stadiume, Balthazar u shndërrua në simbolin jozyrtar të kombëtares franceze, duke përfunduar më pas edhe në fanellat e lojtarëve.

Top Channel