Tiranë, hapet për qytetarët Kulla e Sahatit

07/06/2016 00:00

Nga sot, kushdo mund të vizitojë Kullën e Sahatit në Tiranë, të përshkojë 90 shkallët e saj në formë spiraleje dhe të kundrojë panoramën që ofrohet nga 35 metra lartësi.

Restaurimi i kullës është bërë i mundur me mbështetjen e Ambasadës Amerikane dhe Dhomës Kombëtare të Tregtisë. Kreu i Bashkisë vlerësoi në ceremoninë e hapjes rëndësinë e sahatit si simbol i kryeqytetit, një vlerë historike që do të vijojë të tregojë vazhdimësinë e gjërave.

“Është një monument ndryshimi, i cili është bërë më i përsosur teksa ka ndryshuar. Tirana është një miks kulturash dhe ky monument e tregon më së miri këtë”, tha Veliaj.

“Në 2009 Bashkia e Tiranës bëri një ndërhyrje restauruse të kullës, e cila nuk u mirëmbajt në vitet në vijim dhe bëri që ne bashkë me bashkinë ta bënim këtë restaurim”, tha ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Bashkë me Kullën e Sahatit është i vizitueshëm edhe muzeu i brendshëm i saj, si një pikë tërheqëse për vizitorët jo vetëm të huaj, por edhe vendas.

Top Channel