Stërvitje me GPS, futbollistëve u monitorohet çdo lëvizje

07/06/2016 00:00

Pjesëmarrja në Euro2016, aktivitet ku marrin pjesë kombëtaret më të mira të Europës, e ka shtyrë stafit teknik të përfaqësueses tonë kuqezi të përdorë për herë të parë teknologjinë në seancat stërvitore.

“Është një sistem që përdor GPS satelitor për të monitoruar sportistët tanë në fushë. E përdorim në çdo seancë stërvitore, në mënyrë që në fund të ditës të kemi një situatë më të plotë të punës së lojtarit. Futbollist është i monitoruar dhe aty shikohet çfarë pune ka bërë, sa km ka vrapuar’, shprehet përgatitës atletik i kombëtares shqiptare, Alberto Belle.

Lojtarët tanë kanë rreth 15 ditë që stërviten me këtë mjet, i cili i është ofruar kombëtares tonë nga skuadra italiane e Udineses. Të dhënat që dalin nga sistemi GPS i japin një ide përgatitësit atletik dhe ndihmësit të tij për mënyrën sesi do të zhvillohet stërvitja e radhës.

“GPS thotë që ata janë mirë, por ju e dini që përveç kësaj duhen marrë në konsideratë edhe gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me aspektin fizik. Sigurisht do të na duhet të punojmë edhe për këto”, tha Belle.

Italiani pohon se finalizimi i punës së tij 20 ditore do të shihet të shtunën, në ndeshjen kundër Zvicrës.

“Formën e tyre më të mirë ata nuk duhet ta kanë tani, por të shtunën”.

Top Channel