Roshi: Ndeshjet t’i marrim me radhë

07/06/2016 00:00

Odise Roshi nuk pëlqen që të bëjë parashikime, prandaj kur pyetet se sa larg do të shkojë Shqipëria në Europian, “kopjon” De Biasin dhe thotë se do t’i marrin ndeshjet me radhë.

“Ne po punojmë shumë dhe kur do të hyjmë në fushë do të japim gjithçka për njëri-tjetrin dhe për fanellën. Nuk dua të bëj parashikime, por do t’i marrim ndeshjet me radhë”, tha Roshi.

Humbja me Ukrainën nuk duket se ka ndikuar shumë në kampin kuqezi, pasi Roshi thotë se atmosfera është shumë e mirë dhe lojtarët janë në formë.

“Mendoj se me Ukrainën kemi bërë një ndeshje të mirë, por ishim të pafat kur pësuam golat. PO punojmë që të përmirësohemi dhe besoj se do të jemi gati për ndeshjen hapëse”, tha ai.

Mesfushori i krahut është lojtari i dytë pas kapitenit Lorik Cana që gëzon më shumë minuta në kombëtare në epokën “De Biasi” dhe “sekreti” qëndron tek puna.

“Jam shumë i lumtur për këtë fakt dhe do vazhdoj të stërvitem fort që të kem edhe në të ardhmen një vend në formacion”, u shpreh ai.

Top Channel