
Haki Çako mori dijeni për pezullimin nga detyra teksa ishte i pranishëm në Panairin e Policisë. Lajmin, fillimisht e ndau me disa deputetë të mazhorancës.
Në panairin, ku Policia ekspozonte asetet e saj në luftën kundër krimit dhe lançoi numri e ri 112 të emergjencave, ironikisht ishte vendosur edhe një “baner” mbi pajisjen e përgjimit.
Fjala e ministrit Tahiri u shty për disa orë, ndërsa ky i fundit shfrytësoi rastin për të marrë në mbrojtje vartësit e tij.
“Unë jam shumë i vetëdijshëm që drejtori i Policisë dhe dy punonjësit nuk kanë shkelur ligjin në asnjë sekondë të ushtrimit të detyrës së tyre. Nuk kanë bërë asnjë përgjim dhe asgjë, qoftë edhe së largu, e afërt me përgjimin”, tha ministri Tahiri.
Tahiri i lidh zhvillimet mbi çështjen e përgjimeve, me ato që – sipas tij, – synojnë të pengojnë reformën në drejtësi.
“Sot u bë shumë evidente se ata që nuk duan reformën e drejtësisë, janë të gatshëm të bëjnë gjithçka. Sot u pa kush është i gatshëm të bëjë gjithçka për të shpëtuar ata që nuk duan reformën e drejtësisë. Unë e kuptoj që opozita gjendet ngushtë, opozita bashkë me frontin e së keqes që sot nxori kokën dhe që nuk e do reformën në drejtësi”, deklaroi më tej Tahiri.
Në bazë të ligjit të policisë, në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm komandohet automatikisht zv.drejtori Rebani Jaupaj.
Top Channel