Pas popullaritetit që pati surpriza për fëmijët në spitalin e pediatrisë më 1 qershor, Policia e Shtetit do të zhvillojë një tjetër aktivitet, që pritet të tërheqë jo pak vëmendjen e publikut. Nën moton “48 orë me policinë”, për 2 ditë me radhë, të martën dhe të mërkurën i gjithë sheshi para Pallatit të Kongreseve do të kthehet në një panair ku do të ekspozohen “asetet” e policisë.

Organizatorët tashmë po i japin dorën e fundit përgatitjeve për këtë event, nën sytë e qytetarëve kureshtarë.

Në shesh do të jenë efektivë nga të gjithë repartet speciale, si RENEA dhe DELTA FORCE, por edhe të departamenteve të tjera, ndërsa aty pranë është ngritur edhe një skenë e  madhe.

Por, prapa këtij organizimi ka edhe një sens praktik. Top Channel ka mësuar se gjatë këtyre dy ditëve do të bëhet edhe lançimi i numrit të ri të policisë, linjës 112-të që do të funksionojë vetëm për kryeqytetin krahas numrit 129.

Top Channel