Krijohen ndërmarrjet sociale, qeveria financon projekte për punësimin e të varfërve

06/06/2016 15:50

Qeveria ka miratuar një projektligj, i cili i hap rrugën krijimit të ndërmarrjeve sociale në Shqipëri. Ndryshe nga bizneset e tjera, këto kompani kanë si qëllim vetëm rritjen e punësimit.

“Ndërmarrjet sociale do të jenë në formë juridike OJF, që në 3 vitet e para do subvencionohen nga shteti dhe më pas, me të ardhurat e krijuara nga shitja e mallrave apo produkteve të tyre do të investojnë për rritjen e vendeve të punës”, deklaron Merita Xhafaj, drejtoreshë e politikave sociale në MMSR.

Ndërmarrjet sociale administrohen nga privatët. Por shteti do të financojë plotësisht aktivitetin e tyre në tre vitet e para nëse ato plotësojnë të paktën dy kushte; të kenë minimalisht 3 të punësuar, nga të cilët 30 për qind të vijnë nga shtresat më të varfra të shoqërisë.

“Të cilët sot janë pjesë e përfitimit nga skema e ndihmës ekonomike, po gjithashtu edhe personave me aftësi të kufizuara, jetimëve, romëve, egjiptianëve, apo kategorive të tjera vulnerabël”, nënvizon Xhafaj.

Qeveria synon që përmes kësaj skeme të rrisë të paktën me 3 për qind në vit, punësimin e shtresave më të pafavorizuara të shoqërisë duke ulur kështu edhe kostot për ndihmën ekonomike.

“Në një afat 3-vjeçar, nëse ne e ulim me 10 për qind nivelin e përfituesve të ndihmës ekonomike do të jetë një risi dhe një gjë shumë pozitive”, vijon Xhafaj. Ndërmarrjet sociale mund të jenë kompani prodhuese ose ndërmarrje të cilat ofrojnë shërbime.

Top Channel