Kosovë, Vetëvendosje heq dorë nga bojkoti. Kthehet në Kuvend

06/06/2016 00:00

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, përmes një deklarate për shtyp gjatë kësaj të hëne tha se, kryesia e forcës politike të udhëhequr prej tij ka vendosur që ata të kthehen në Kuvend.

“Do ta bëjmë opozitën siç është bërë përherë. Vetëvendosje ka qenë vazhdimisht kundër daljes së opozitës jashtë Kuvendit. Ne e kemi konsideruar këtë të dëmshme. Sot po shihet se, efekti i mospranisë së opozitës në Kuvend është negativ. Bërja e opozitës në Kuvend është pengesë për vendimet e dëmshme”, tha Ymeri.

Ndërkohë, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se opozita do të vazhdojë kundërshtimin e dy projekteve të sjella nga Qeveria e Kosovës, e këtu bëhet fjalë për Asociacionin dhe Demarkacionin.

“Subjektet opozitare kanë qëndrime të njëjta për mospranimin e Demarkacionit dhe ‘Zajednicës’. Jemi të shqetësuar me deklaratat e fundit të ministrave dhe zyrtarëve, që po kërkojnë ta sjellin punën e Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës. Ne mendojmë se, kur të vijnë këto projekte dhe kur t’u vijë radha, qëndrimi i opozitës jashtë Kuvendit e bën të padobishme luftën ndaj tyre. Nuk do të hezitojmë të bashkëpunojmë me subjektet e tjera opozitare, për t’i bashkërenduar hapat tona”, tha Konjufca.

Top Channel