Kosovë, serbët e veriut: Asociacioni, një mashtrim i madh

06/06/2016 00:00

Qytetarët serbë të veriut të Kosovës thonë se, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, i parashikuar në marrëveshjen e Brukselit, por prej shumë muajsh i debatueshëm, ka pak gjasa të mbrojë interesat e tyre dhe se, e ka zbehur rëndësinë e tij me stërzgjatjen e krijimit.

Për disa prej tyre, formimi i Asociacionit nënkupton afrimin e institucioneve te qytetarët, ndërkohë që të tjerë thonë se, ai do të jetë një lloj pengese e integrimit sa më të shpejtë edhe të 4 komunave të tjera të veriut në sistemin e Kosovës.

Por, pak qytetarë serbë e dinë se cilat do të jenë përgjegjësitë e Asociacionit, ndërsa edhe më pak ata që dinë nëse ai do të ketë fuqinë për të mbrojtur interesat e tyre apo jo.

Daniela Tomasheviç, nga Qendra për përfaqësim të kulturës demokratike, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se nuk pret ndonjë zgjidhje pozitive për formimin e Asociacionit.

“Mendoj se nuk do të ketë asnjë përgjegjësi ekzekutive, as pushtet ligjor, por do të jetë si një lloj vëzhguesi i paanshëm. Mund të ketë ndoshta një rol këshillë dhënësi dhe kjo është e tëra, asgjë më shumë”, thotë Tomasheviç.

Lubomir Radoviç, një ekonomist i diplomuar nga Zveçani, thotë se Asociacioni ashtu siç e shohin Prishtina dhe Europa, e të cilën e ka pranuar edhe Serbia, është një mashtrim i madh për serbët.

“Tani shihet se, thelbi i çdo gjëje ka qenë që komunat në veri të Kosovës të futen në sistemin e të ashtuquajturës Republikë e Kosovës. Dhe kjo për mua personalisht është një zhgënjim i thellë, sepse në thelb jemi të mashtruar, është mashtruar Serbia dhe nuk e di nëse udhëheqësit e Serbisë, e tashmja dhe e kaluara, kanë qenë të vetëdijshëm se çfarë kanë pranuar”, thotë Radoviç për “Radion Evropa e Lirë”, duke vlerësuar se me krijimin e Asociacionit, Serbia do të largohet edhe më shumë nga Kosova.

Top Channel